Prishtinë, nuk kalon propozimi për të diskutuar për gjendjen në NPB

Më 23 vota pro dhe 25 kundër, nuk ka kaluar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, propozimi i grupit të Lëvizjes Vetëvendosje për të diskutuar për gjendjen në Ndërmarrjen Publike Banësore.

Shefit i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, propozoi që të diskutohet për gjendjen në NPB edhe me aksionarët asamblistë. Aksionarë në NPB janë asamblistët Leutrim Retkoceri dhe Granit Geci, nga PDK.

Sipas Sveçles, është e arsyeshme që të diskutohet pas bastisjes që ka ndodhur në këtë ndërmarrje.

“Jemi dëshmitarë të zhvillimeve të fundit që kanë ndodhë në NPB, është një ndërmarrje e këtij kuvendi, ka bastisje të Policisë, ka pastaj reagime të partive që i dalin në mbrojtje ndërmarrjes. Unë nuk e di me çfarë të drejte, ka dokumente të NPB-së që kanë dalë në konferenca për shtyp. Andaj ne besojmë qe i kemi aksionarët këtu dhe është arsyeshme që ta fusim si pikë e rendit të ditës dhe të diskutojmë mbi gjendjen në NPB”, ka thënë asamblisti Sveçla.

Policia e Kosovës javën e kaluar ka realizuar një urdhër-kontroll në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Siç thuhet në një njoftim për media të NPB-së, bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Këtë bastisje, NPB-ja e ka konsideruar që ka pasur shkelje ligjore.

Në anën tjetër, Partia Socialdemokrate (PSD) ka ngritur dyshimet për mënyrën se si është kryer bastisja në Ndërmarrjen Publike Banësore, në Prishtinë, lidhur me projektin afër 120 milionësh.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që pikërisht tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakërisht të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke e mbajtur e gjashtë me radhë.