Prishtinë, nuk ka mundësi të paguajë faturat, nëna vetushqyese pa rrymë prej një muaji

Nëna vetushqyese me inicialet F.Xh. nga Prishtina ka raportuar në KALLXO.com se prej një muaji nuk ka rrymë në shtëpinë ku banon bashkë me djalin e saj.

Ajo rrëfen për KALLXO.com se jeton në shtëpinë e ish-vjehrrës, me asistencë sociale.

Në pamundësi për ta paguar shumën prej 180 euro ajo kërkon nga KEDS-i mundësinë për të paguar me këste mirëpo sipas saj kjo nuk i është mundësuar.

“Nuk kam rrymë prej datës 4, d.m.th. një muaj. Edhe ua kam ba me këste veç 2 muaj. Ma kanë ndalë pensionin invalidor. I kam pasë do kontrolla, d.m.th. derisa më ka dalë sociali, nuk kam mujtë me i mbulu dimrit dhe ua kam ba me këste. Po kur e kalu shifrën 180 euro janë ardhë e kanë këputë. Erdha me bo nji kontratë, nesër si ta marr socialin me ia bo d.m.th. çdo muj nga 50 euro. E kam kartonin e socialit, nuk e pranojnë me bo kontratë që me ma mundësu me këste me pagu rrymën. Tri operime i kam”- ka thënë ajo.

F.Xh. tregon se sa e vështirë ka qenë të mbijetojë gjatë një muaji pa rrymë dhe tutje thotë se ka pasur neglizhenca nga KEDS-i për t’ia mundësuar këtë lloj pagese.

“Prej orës 8:00 erdha nuk më pranun me bo kontratë. D.m.th. qe një muj, më thanë hajde anej, hajde knej. Më thanë me lypë një far Naim Restelica. Unë erdha edhe 10 minuta në 8 te sigurimi. Aty më thanë prite se hala s’ka ardhë. E prita u bo ora 9:00, u bo 10:30, i thashë jam qështu e operume s’po muj me nejtë ma shumë. Unë jam nanë vetushqyese, jetoj veç me një fëmijë, me social. Kam pasë tri operime, d.m.th. s’muj me punu se kam pasë kancer fazën e parë. D.m.th. kam kalu prej pensionit invalidor e kam pasë tri vjet. Tash mas pensionit kam dalë në social, ma ka ndalu mjeku me punu”- përfundoi ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) për të marrë përgjigje rreth kërkesës së F.Xh.

Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka thënë për KALLXO.com se e njëjta është shkyqur nga rrjeti elektrik shkaku i moskryerjes së pagesës.

“Ky konsumator, gjithnjë kësaj shifre, është shkyçur nga rrjeti elektrik shkaku i moskryerjes së pagesës së energjisë elektrike të shpenzuar. Megjithatë, i njëjti mund të vijë në zyrat tona për të bërë kërkesë për pagesa të borxhit me këste”- përfundoi Krasniqi.