ILUSTRIM: Foto Policia e Kosoves

Prishtinë, në shtëpinë që e mori me qira ndërtoi laborator të drogës

Organet e hetuesisë kanë zbuluar një laborator të improvizuar të drogës të enjten mbrëma.

Siç njoftoi Prokuroria e Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda, në një shtëpi të cilën një i dyshuar e kishte marrë me qira, janë konfiskuar një numër i konsiderueshëm i bimëve narkotike.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ju njofton se ka udhëhequr sot një aksion në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ashtu që me aprovim të gjykatës kompetente, nga bastisja e kryer në fshatin Prugoc të komunës së Prishtinës, në shtëpinë me qira të një të dyshuari është identifikuar një laborator i improvizuar për prodhimin e substancave narkotike”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në këtë shtëpi janë gjetur e sekuestruar 179 bimë narkotike të gjatësive të ndryshme të llojit kanabis.

I dyshuari, sipas organeve të ndjekjes është në arrati.

“Në këtë çështje penale organet e rendit kanë identifikuar një të dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në arrati, derisa prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për gjetjen e vendndodhjes së të dyshuarit dhe ndërmarrjes së veprimeve procedurale ndaj të njëjtit”, thuhet në njoftim.