Ujësjellësi (Ilustrim). Foto: Kallxo.com

Prishtinë, mungesë uji në lagjen "Bregu i Diellit" në kohë pandemie

Njëra prej masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 është mbajtja e higjienës, përkatësisht pastrimi i shpeshtë i duarve.

Nga kjo gjë janë privuar banorët në disa pjesë të lagjes “Bregu i Diellit” të cilët po përballen me mungesë të ujit sot.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse në Ujësjellësin ‘Prishtina’, për KALLXO.com ka thënë se kjo mungesë uji vjen nga punimet teknike në stacionin e pompave në rezervuarin e Mirditës, që sipas saj kjo ka ndodhur mbrëmë dhe sot në pikat e larta.

“Pikat e larta të lagjes Bregu i Diellit vetëm ditën e djeshme në orët e vona dhe sot mund të kenë çrregullime pasi po bëhen punime teknike në stacionin e pompave në rezervuarin e Mirditës,”  tha ajo.

Tutje ajo tha se përkundër shpenzimit enorm të ujit dhe mungesës së reshjeve reduktimet ende nuk kanë filluar, por sipas saj  nëse vazhdohet kështu mund të fillohet me reduktime të ujit gjatë orëve të natës.

Ujësjellësi ka bërë vazhdimisht thirrje për kursim të ujit sepse gjatë këtij viti vërehet mungesa e ujit në dy liqenet që monitorojnë Batllavë dhe Badovc si shkak i reshjeve të pakta gjatë stinës së dimrit.