Foto: Komuna e Prishtinës, Trafiku Urban

Prishtinë, linjat e Trafikut Urban me të cilat mund të udhëtoni falas

Komuna e Prishtinës më 30 nëntor doli me njoftimin se Trafiku Urban do jetë falas për muajin dhjetor, kjo si masë për të ndalur trafikun e madh dhe ndotjen e madhe të ajrit gjatë dimrit.

Kërkesa që Trafiku Urban të jetë falas erdhi nga PDK, e cila kërkoi që këto linja të jenë falas për katër muaj, por, kjo sipas Komunës së Prishtinës kërkon ndryshim në buxhet, e që nuk varet vetëm nga niveli lokal.

Nga 1 dhjetori, kur ky vendim hyri në zbatim, shumë qytetarë nuk e kanë pasur të qartë se cilat linja po e implementonin këtë vendim.

Kjo për arsye se jo të gjitha linjat e autobusëve nëpër qytet janë në menaxhim të ndërmarrjes Trafiku Urban

Lulzim Rexhepaj nga kjo ndërmarrje për KALLXO.com ka thënë se mbajnë përgjegjësi vetëm për shtatë linja të autobusëve.

“Kompetencat tona përfshijnë vetem menaxhimin e linjave të NPK “Trafiku Urban” Prishtinë, andaj vetëm për linjat në vazhdim në mbajmë përgjegjësi: 1, 1A, 3, 3C, 4, 7C dhe 15 (është për fshatin. Keçekollë),” ka thënë Rexhepaj.

Linjat tjera janë të gjitha private dhe nuk kanë mbulim nga Komuna në mënyrë që ta zbatojnë atë vendim.