Prishtinë, konfiskohen 18.3 kilogramë drogë

Në një operacion, në të cilin kanë qenë të përfshirë Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Drogës, Njësia K9 dhe Njësia e Krim Teknikës Regjionale – Prishtinë, sot në Prishtinë dhe Barilevë janë konfiskuar 18.3 kilogramë drogë që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

Policia e Kosovës njofton se operacioni i sotëm është në kuadër të zgjerimit të hetimeve lidhur me rastin paraprak të koduar “Peshorja”, të datës 29 dhjetor 2022, gjatë të cilit ishin arrestuar tre persona të dyshuar dhe ishin konfiskuar 1 kg 214.75 gr. substancë e dyshuar narkotike.

Në njoftimin e Policisë thuhet se janë zbatuar masa të veçanta të autorizuara edhe nga Prokuroria dhe Gjykata e Prishtinës dhe sot është ndaluar vetura “Golf 3” me targa vendore që drejtohej nga i dyshuari V.K. (1982) dhe gjatë kontrollit është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Sipas njoftimit, në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake në Prishtinë është realizuar një operacion kontrolli në dy shtëpi në Prishtinë dhe një shtëpi në Barilevë.

Në lokacionin e parë gjatë realizimit të kontrollit në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar:

– (18 kg 300 gr.) substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë.

– (1) veturë  me targa vendore.

– (1) telefon.

Gjatë kontrollit të shtëpive, dy persona të tjerë të dyshuar V.K. (1994) dhe S.S. (1979) nuk kanë qenë në shtëpi dhe të njëjtëve u është lënë ftesa për lajmërim në Polici.

Me vendim mbi ndalimin e personit, të dyshuarit tanimë të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, përderisa hetime nga antidroga e Policisë së Kosovës janë në proces lidhur me rastin.