Ndriçimi publik

Prishtinë - Komuna sqarohet për mungesën e ndriçimit publik

Tash e disa muaj shumë lagje të Prishtinës janë duke u përballur me mungesë të ndriçimit publik, e gjitha kjo po përcillet edhe me rrezik nga sulme të mundshme nga qentë endacakë.

Disa prej lagjeve që po përballen me këtë probleme janë ‘Dardania’, ‘Kalabria’, ‘Arbëria’, disa pjesë në ‘Rrugën B’, etj.

Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike në Komunën  e Prishtinës, thotë se shkak i mosmirëmbajtjes së ndriçimit publik është skadimi i kontratës me operatorin paraprak dhe vonesa me procedura të prokurimit gjatë vitit 2020.

“Kontrata e mirëmbajtjes së ndriçimit publik ka qenë tre vjeçare e cila ka përfunduar në vitin 2020. Ne e kemi përgatitur kontratën dhe e kemi dërguar në prokurim në fillim të vitit që lamë pas. Dua të theksoj se problemi ka qenë  edhe buxheti i cili nuk ka qenë i miratuar për disa muaj; deri në mars 2020, pastaj ka qenë një vendim i KRPP-së, që të mos tenderohen investime për shkak të situatës me pandeminë”, ka thënë Braha për KALLXO.com

Tutje ajo shtoi se tenderi i shpallur në vitin 2020 është anuluar pas një shkelje që është bërë në procedurë të prokurimit. Braha tha se kontrata është ri-tenderuar dhe nëse nuk ka ndonjë problem do nënshkruhet deri në fund të javës.

“Sapo kanë filluar këto procedura në mesin e vitit 2020, ai projekt është tenderuar nga zyra e prokurimit, ka pasur disa ankesa dhe është anuluar. Projekti është ri tenderuar dhe prapë e kemi dërguar ekipin mbikëqyrës për vlerësim. Afati i ankesave ka përfunduar. Pra, nuk është tenderuar me vonesë, por në vitin 2020 çdo projekt është vonuar duke marrë parasysh mos miratimin e buxhetit fillimisht e pastaj vendimin e KRPP-së. Pritet që deri në fund të javës nëse nuk ka ndonjë problem kontrata do nënshkruhet”, shtoi tutje Braha.

Braha gjithashtu theksoi se në vitin 2020 ka pasur edhe shumë dëmtime të rrjetit publik nga operatorë të ndryshëm që kanë punuar në rrugë, të cilat i kanë adresuar, dhe kanë kërkuar që të rregullohen. Gjithashtu, sipas saj është kërkuar që të merren masa ndaj operatorëve mbikëqyrës për këtë situatë.