Foto: REL

Prishtinë, komuna me tre studime për imunitetin e arritur ndaj COVID-19

Komuna e Prishtinës është duke zhvilluar tri studime shkencore me anë të testeve serologjike lidhur me përhapjen e COVID-19 te qytetarët.

Hulumtimet kanë si cak punëtorët shëndetësorë të kujdesit parësor, stafin e komunës dhe qytetarët e Prishtinës.

Me anë të këtij hulumtimi do kemi më shumë detaje se sa qytetarë e kanë kaluar virusin COVID-19.

Drejtori i Shëndetësisë në komunë, Bujar Gashi për KALLXO.com tha se njëri prej tyre tashmë është në përfundim dhe po presin rezultatet përfundimtare.

“Njëri hulumtim tashmë është në përfundim dhe jemi në pritje të publikimit zyrtar për punëtorët shëndetësor të kujdesit primar dhe punëtorët e Komunës së Prishtinës”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, testi me qytetarë është ende në proces.

Ndërsa, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një njoftimi në rrjetin Facebook bëri të ditur se ky studim do japë informata edhe mbi faktorët e infektimit dhe se, shifrat që janë interesante, do publikohen.

“Pytësori që e ka përcjell testimin serologjik na jep informatë edhe mbi atë se cilët janë faktorët kryesorë të infektimit. Studimet po kryhen sipas kritereve ndërkombëtare dhe me protokole të aprovuara nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Natyrisht, studimi po bëhet në bashkëpunim me profesionistë të fushës. Numrat që janë tepër interesante do të publikohen si të përfundojnë të gjitha studimet, por do të jenë bazë e mirë për reagim institucional karshi pandemisë”, ka shkruar Ahmeti.