Foto: Komuna e Prishtinës, Trafiku Urban

Prishtinë, komuna ka në plan të riorganizojë transportin publik pas shtimit të autobusëve

Komuna e Prishtinës ka në plan të riorganizojë transportin publik të udhëtarëve pas shtimit të autobusëve.

Habib Qorri, udhëheqës i sektorit për shërbime publike në komunë për KALLXO.com ka deklaruar se për rregullim të trafikut në bashkëpunim me BERZh-in është miratuar plani i mobilitetit, përmes të cilit është paraparë të ri-dizajnohen linjat urbane dhe periferike.

“Për rregullimin e trafikut dhe transportit në Komunën e Prishtinës, në bashkëpunim me BERZh-in është hartuar dhe miratuar Plani i Mobilitetit. Në kuadër të këtij plani është i paraparë edhe riorganizimi i komplet transportit publik të udhëtarëve, duke përfshirë riorganizimin edhe ri-dizajnimin e linjave urbane dhe urbano-periferike. Riorganizimi i transportit publik të udhëtarëve është planifikuar të mbulohet me operator privat dhe publik me Ndërmarrjen Komunale Trafiku Urban”, ka thënë Qorri.

Tutje Qorri shtoi se këto procedura janë vonuar për shkak të pandemisë, kurse tani pritet të merren vendime në Kuvend të komunës për miratim të planit të linjave.

“Për këtë projekt kanë qenë të angazhuar ekspertë- konsulentë nga BERZh-i, për hartimin e planit për pjesën e Sektorit me Operator Privat, por për shkak të Pandemisë procedurat në këtë pjesë janë vonuar. Tani duhet të merren vendime në Kuvendin e Komunës për miratimin e planit të linjave urbane dhe urbano-periferike, si dhe planin për kushtet për procedurat që duhet të plotësojnë operatorët privat, si dhe biletën e integruar”, shtoi tutje Qorri.

Qorri foli edhe për protestën e djeshme të disa banorëve të fshatit Prapashticë që kërkonin zgjatje të linjës 15 të Trafikut Urban, ku tha se për zonat rurale duhet të përcaktohet mënyra e pagesës pasi biletat nuk mbulojnë kostot e shpenzimeve dhe se po shqyrtohet mundësia e zgjatjes së linjës Prishtinë – Keqekollë si kërkesë e banorëve.

“Me plan janë paraparë të përfshihen të gjitha lagjet në zonën urbane dhe po ashtu zonat rurale. Për zonat rurale duhet të përcaktohet mënyra e pagesës për operator të cilët mbajnë këto linja për shkak se nga biletat nuk mund të mbulohet kostoja e shpenzimeve për transport, ngase ka numër të vogël të udhëtarëve, por gjithsesi që duhet të bëhet zgjidhje për këto zona. Këto linja kanë qenë të mbuluara nga operatorë privat por nga fillimi i pandemisë, kur ka filluar të reduktohet numri i udhëtareve, është pamundësuar të mbahet edhe më tej linja. Prandaj është lëshuar linja Prishtinë-Keqekollë e cila mbulohet me shpenzime nga Komuna e Prishtinës, tani është duke u shqyrtuar mundësia e zgjatjes së kësaj linje sipas kërkesë së banorëve të asaj zone”, tha Qorri.

Ndërmarrja ‘Trafiku Urban’ posedon 50 autobusë, kurse ka synim të shtojë edhe 30 tjerë, ku pritet shtim i linjave, gjithashtu 80 autobusë të operatorëve privat do ndihmojnë në mbulim të linjave në pjesën urbane dhe rurale të kryeqytetit.

 

Protesta e banorëve të Prapashticës për transport, flasin banorët dhe komuna