Prishtinë, komuna flet për mirëmbajtjen e rrugëve

Reshjet e borës gjatë ditës së sotme kanë vështirësuar qarkullimin nëpër rrugët e Kosovës.

Medina Braha nga drejtoria e shërbimeve publike në komunën e Prishtinës për KALLXO.com ka thënë se i kanë gjashtë operatorë të angazhuar në rrugët urbane dhe tre në rrugët rurale.

Sipas saj e tërë java do jetë me gjendje të tillë që do e vështirësojë situatën me ngrica.

“Ne i kemi 6 operatorë të angazhuar në rrugët urbane dhe 3 në ato rurale. Vazhdimisht i kemi ekipet në teren. Varësisht ngricave hedhim kripë, dhe/apo rërë sa herë që është e nevojshme për t’i shkrirë ato si dhe bëjmë largimin e borës. Mirëpo, e tërë java do jetë me temperatura të ulëta çka e vështirëson shkrirjen e ngricave. Prandaj, u bëjmë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në trafik,” ka thënë Braha.

Tutje Braha shtoi se me kripë janë furnizuar edhe shkollat për ditën e nesërme në mënyrë që të mirëmbahet ambienti gjatë procesit të votimit.

“Gjithashtu, shkollat në të cilat do votohet për zgjedhjet e nesërme i kemi furnizuar me kripë që stafi i tyre të mund ta mirëmbajë hapësirën e shkollave për votuesit nesër,” shtoi tutje Braha.

Foto: Rrugët në Prishtinë i mbulon bora