Gjykimi për shpërlarje parash. FOTO- Shyhrete Maliqi/KALLXO.com

Prishtinë, i akuzuari për shpërlarje parash thotë se është i pafajshëm

Në rigjykimin e mbajtur sot në Gjykatën e Prishtinës, i akuzuari për shpërlarje të parave dhe tregti të ndaluar, Milovan Gajic është deklaruar i pafajshëm

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli se a e pranon fajësinë, i njëjti është përgjigjur se nuk e pranon fajësinë.

“Jo nuk e ndjej veten fajtor për asnjërën pikë të aktakuzës”, tha Gajic.

Pas këtij deklarimi gjykatësi Konxheli, e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 30 ditësh mund të bëjë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Kujtojmë se në tetor 2020, Gajic ishte dënuar  nga Gjykata e Prishtinës me 6 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë, i cili dënimi me burgim iu kishte zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 3 mije e 600 euro, si dhe iu ishin konfiskuar mjetet monetare në vlerë prej 65,450 euro.

Kurse Gjykata e Apelit me 18 dhjetor 2020, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, për shkak se sipas Apelit, Prokuroria Speciale me rastin e negocimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nuk e kishte respektuar nenin 76 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke mos propozuar dënime për secilin vepër penale, por vetëm dënim unik.

Sipas prokurorisë i akuzuari Gajic më 14 gusht 2020, në pikën kufitare “Merdare” është hasur duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, ashtu që në ditën kritike gjatë një kontrolli të kryer nga Dogana e Kosovës, në veturën e tij në pjesën mbrapa veturës ku gjendet zmadhuesi i radios është vërejtur se në atë pjesë gjenden mjete monetare të fshehura, në vlerë prej 65,450.00€, të pa deklaruara nga i akuzuari, të cilat mjete më pastaj janë sekuestruar.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gajic duke i pasur në posedim mjetet monetare, ka tentuar që të fsheh ose maskojë natyrën e vërtetë, burimin, vendndodhjen, sistemimin, lëvizjen, të drejtat në lidhje me pronësinë e kësaj pasurie, apo në çfarëdo rrethanash me qëllim që të shkaktojë shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore.