Ilustrim

Prishtinë, drejtorët e shkollave ende nuk kanë njohuri si do udhëtojnë nxënësit me ligjin e pandemisë ende në fuqi

Pas disa muajve nga ndërprerja e procesit mësimor, dje ka filluar viti i ri shkollor 2020/21.

Ky vit ishte planifikuar të fillojë më 1 shtator por u shtye për dy javë si shkak i përgatitjeve në shkolla.

Të hënën vitin shkollor në klasa e filluan klasat e ciklit të ulët dhe viti i parë i shkollës së mesme.

Përkundër shumë kufizimeve me të cilat do përballen këta nxënës gjatë kohës sa janë në shkollë, problem për ta mund të jetë edhe udhëtimi e sidomos i atyre që janë në shkollë të mesme.

Shkollat e mesme në Komunën e Prishtinës janë pothuajse të gjithë në lagje periferike të qytetit, duke bërë që nxënës të këtyre shkollave të udhëtojnë nga lagje të ndryshme madje edhe jashtë territorit të Prishtinës.

Trafiku Urban në anën tjetër par disa ditësh doli me një komunikatë se përkundër fillimit të vitit të ri shkollor do vazhdojnë me qarkullim sipas rregullave të vëna për pandeminë COVID-19.

Në komunikatën e kësaj ndërmarrje thuhet se nuk do lejohen më shumë se 25 udhëtarë në të njëjtën kohë në autobus.

“Me fillimin e vitit shkollor, do të rriten shumë më tepër kërkesat për udhëtim, andaj për këtë arsye e kërkojmë mirëkuptim e qytetarëve se duke u bazuar në Vendimin e Qeverisë dhe kapacitetin e brendshëm të autobusit, nuk mund të lejohen më tepër se 25 udhëtarë”, thuhet në komunikatë.

Kallxo.com ka kontaktuar disa drejtorë të shkollave lidhur me këtë çështje e cila mund të paraqes problem për shumë nxënës.

Fetah Zejnullahu, drejtor i gjimnazit “Sami Frashëri” tha se gjatë javës do bëhet një raport me të dhëna të nxënësve që mund ta kenë këtë problem.

“Nuk kemi bërë ende ndonjë raport meqenëse sot (E hënë, 14 shtator 20220) është dita e parë e shkollës, gjatë javës do përpilohet një raport lidhur me ankesat e nxënësve drejtuar kujdestarëve të klasave lidhur me problemin e udhëtimit”, tha Zejnullahu.

Zejnullahu tha se më shumë se 90% e nxënësve janë nga Prishtina dhe një numër shumë i vogël janë jashtë territorit të Prishtinës.

“Në bazë të rregullores në fuqi të gjithë ata nxënës që pranohen në shkolla të mesme në Prishtinë duhet ta kenë të kryer shkollën fillore po në këtë komunë. Mbi 90% të nxënësve i kemi nga qyteti i Prishtinës dhe një numër shumë i vogël janë nga rrethi i Prishtinës”, tha Zejnullahu për Kallxo.com.

Në anën tjetër, Iljaz Hasani, drejtor i Gjimnazit Filologjik “Eqrem Çabej”, tha se nuk ka qenë në dijeni për rregulloren e autobusëve, por që kanë marrë paralajmërime nga nxënës të fshatit Bardhosh për vonesa të mundshme.

“T`iu them të drejtën tani prej juve po e marrim vesh lidhur me këtë rregulloren e pandemisë. Ministria e Arsimit nuk është konsultuar ende lidhur me këtë çështje. Sa i përket vonesave, kemi marrë paralajmërime nga nxënës të fshatit Bardhosh për mundësi të vonesave”, tha Ilazi.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe Ndërmarrjen ‘Trafiku Urban’ të cilët thanë se ndryshimi i rregullores nuk varet nga ta por nga qeveria dhe Komuna.

“Kemi vërejtur një fluks më të madh tani që ka filluar viti i ri shkollor, ne nuk mund të shtojmë numrin e autobusëve apo të udhëtarëve pa marrë urdhër nga qeveria e më pas leje nga Komuna. Konsiderojmë se është më se e nevojshme që të ndryshohet sepse autobusët e trafikut urban kanë hapësirë të mjaftueshme, mjafton të jenë të pajisur me maska mbrojtëse”, thonë nga Trafiku Urban.

Miranda Mullafazliu, nga zyra për informim në Komunën e Prishtinës, tha se për çdo ndryshim duhet të presim për vendimet që dalin nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP.

“Komuna nuk mund të jap licenca për ndryshme të qarkullimit në autobusët e Trafikut Urban, për çdo ndryshim duhet të presim vendime që lëshohen nga Ministria e Shëndetësië dhe IKSHP-ja”, tha Mullafazliu për Kallxo.com.

Kallxo.com është munduar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm deri në momentin e publikimit.