
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Prishtinë, Dita e Gruas - ditë e protestës
Në ditën ku vajzat dhe gratë do duhej të dilnin e të festojnë lirinë dhe pavarësinë e tyre, sot ato së bashku me qytetarë, aktivistë e politikanë protestuan e marshuan rrugëve të Prishtinës.
Këtë vit aktivitetet kryesore për shënimin e kësaj date ishin marshimet, protestat simbolike dhe performancat artistike me mesazhe politike.
8 Marsi filloi me performancën e Qendrës për Informim, Kritikë dhe Aksion “QIKA”, e cila organizoi një protestë artistike para Qeverisë së Kosovës.
Qëllimi i kësaj performance ishte thyerja e barrierave, stereotipeve gjinore, barrierave shoqërore e mendësisë patriarkale duke u munduar ta mposhtin paradigmën shoqërore “Gratë e kanë vendin në shtëpi”.
“Puna e grave shihet si obligim i natyrshëm i tyre nga të tjerët, të lajnë, të hekurosin e punë të tjera. Kriza ekonomike dhe pandemia ka rënduar jetën shumë më shumë të grave. Atyre nuk iu takon prona se nuk u njihet puna. Duhet të njihet puna dhe e drejta e tyre”, tha drejtoresha e organizatës, Leonida Molliqaj.
Përmes një tryeze të dekoruar e të kuruar me enë të shtëpisë, por të përmbysur, ato refuzuan detyrat të cilat një pjesë e shoqërisë i quan obligative për gratë si gatimin, hekurosjen, furnizimin, pastrimin e plotë e punë tjera të ngjashme. Nëpërmjet kësaj përmbysjeje të tryezës “QIKA” barti mesazhin e një përmbysjeje të roleve gjinore, ndasinë e detyrave dhe mendësisë primitive.
Pas këtij aktiviteti pasoi marshimi me biçikleta “Marsho me biçikletë” si shenjë lirie dhe pavarësie për vajzat dhe gratë nëpër rrugë.
Dhjetëra qytetarë me biçikletë filluan turnin e tyre nga memoriali “Heroinat” duke vazhduar çiklimin nëpër rrugët e Prishtinës, deri te “Rrethi i Flamurit”.
Iniciatorja e kësaj nisme, Fitore Pacolli, tha se mesazhi i këtij organizimi me biçikleta është liria e lëvizjes për vajzat dhe gratë në Kosovë.
“Ky lloj organizmi bëhet për herë të parë në Kosovë dhe ka disa simbolika. Simbolika e parë është që ne si gra në çdo qytet të Kosovës nuk jemi të lira që të lëvizim si në trotuar apo në rrugë. Shumica janë burra, ngasës së veturave dhe gratë nuk kanë vetura dhe varen nga burrat. Biçikleta ua ofron grave atë liri. Përveç kësaj ndikon në shëndet dhe është simbolikë e asaj që ne mund të shtyjmë përpara ndryshimin në shoqëri” u shpreh Pacolli.
Sipas saj, krahas që e kanë organizuar shumë vonë, gjatë ditës së premte ka pasur shumë interesim për pjesëmarrje.
Pas këtij aktiviteti vazhdoi aktiviteti qendror “Marshojmë s’festojmë” , i cili mblodhi shumë persona në rrugët e Prishtinës. Në këtë marsh krahas shoqërisë civile morën pjesë edhe fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.
Marshi filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të vazhduar me protestë e brohoritje përballë institucioneve shtetërore si Policia, Prokuroria, Avokati i Popullit e deri te Qeveria.
Protestuesit në mënyrë paqësore, me parullat si “Shtet që vret”, “Kush na mbron prej Policisë”, “Poshtë patriarkati”, “Drejtësi për gratë e vrara”, “Unë punoj çka du” e thirrje për pavarësi, drejtësi e barazi kërkua nga institucionet shtetërore të funksionojnë për atë që janë të destinuara.
Vetëm në vitin 2019 janë evidentuar 1,557 vajza dhe gra viktima të dhunës. Ndërsa në vitin 2020 sipas Policisë janë raportuar 1,362 raste të vajzave dhe grave, viktima të dhunës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti tha që e kanë prioritet punësimin e grave gjatë qeverisjes së tij.
“Do të ndërtojmë 160 çerdhe për fëmijë të cilat do të lehtësojnë sidomos nënat anekënd Kosovës e deri tek prioritetizimi i punës të gruas. Këto të jenë në fokus të Qeverisë tonë”, tha Albin Kurti.
Pas këtij marshi, kjo datë u shënua me marshim të organizuar nga grupi “Maniakë t’Biciklave.”
Dhjetëra çiklistë e qytetarë kishin vetorganizuar çiklim “Marsho dhe çiklo” nëpër Prishtinë si shenjë vetëdijesimi për fuqinë dhe lirinë e gruas.
Marshi dhe çiklimi filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, duke ndjekur rrugën kryesore nëpër Prishtinë deri tek Shkolla e Mjekësisë “Ali Sokoli.” Grupi “Marakli t’biciklave” ka organizuar marshin “Marsho dhe çiklo” nëpër rrugët e Prishtinës.
Njëra nga organizatoret, Donika Dabinovci, tha për KALLXO.com se këtë marsh e kanë organizuar për të mbledhur vajzat dhe gratë.
“Vajzat dhe gratë duhet të merren me çiklizëm se nga ky aktivitet vetëm të mira ka. Ne mundemi më shumë se aq. Çiklizmi është vetëm njëra nga fuqitë tona”, tha Dabinovci.
Ajo tha se nuk ka interesim të madh nga vajzat dhe gratë në maniakë të biçikletave, por në këtë marsh ka pasur shumë të interesuara.
Driada Sopi, bashkorganizatore tha se qëllimi kryesor është sensibilizimi i grave për fuqinë dhe pavarësinë e tyre.
“Mesazhi këtij marshi është sensibilizimi i grave për çiklim. Vajzat dhe gratë kanë forcë, energji dhe vozitja e biçikletave tregon dhe simbolizon pavarësinë e tyre”, tha Sopi.
Dita Ndërkombëtare e Gruas është një datë për të reflektuar mbi përparimin e bërë, për të bërë thirrje për ndryshim dhe për të festuar aktet e guximit dhe vendosmërisë nga gratë e zakonshme, të cilat kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë e vendeve dhe komuniteteve të tyre.
Sipas Kombeve të Bashkuara, kufizimet ligjore i kanë ndaluar 2.7 miliardë grave të kenë të njëjtën zgjedhje të vendeve të punës si burrat. Më pak se 25 për qind e parlamentarëve ishin gra, që nga viti 2019.
Një në tre gra përjetojnë dhunë në baza gjinore.