Prishtinë, disa banorë të lagjes "Dardania" kundërshtojnë projektin te "Santea"
Disa banorë të lagjes “Dardania” në kryeqytet kanë protestuar sot, 04.11.2024, duke kundërshtuar nisjen e punimeve të projektit të cilin e ka nisur Komuna e Prishtinës në hapësirën e njohur si te “Santea”.
Për këta banorë, qenësore konsiderohet lirimi i dritareve të bodrumeve të cilat ata thonë se janë bllokuar gradualisht që nga paslufta, duke u betonizuar nga bizneset. Si pasojë e ‘ngufatjes’ së bodrumeve, sipas tyre, shkaktohen kundërmime dhe rrezikohet të shfaqen edhe sëmundje.
Besim Shala, njëri nga banorët protestues, thotë se dy herë kanë bërë kërkesë në Komunë dhe se kanë marrë premtime se do të bëhet një zgjidhje.
“Po e vërejmë ne si banorë që projekti nuk po shkon si duhet. Konkretisht sepse dritaret e bodrumeve që i kemi të uzurpuara nuk po lirohen. Këto dritare janë uzurpuar kohë pas kohe që nga paslufta dhe janë shfrytëzuar si terasa. Ne kemi bërë dy ankesa në dy drejtori, njëra në shtator dhe tjera në fillim të tetorit. Pavarësisht kësaj, ne nuk kemi përgjigje pozitive. Kemi pasur edhe dy takime me drejtorë dhe kemi pasur edhe 4-5 takime me zyrtarë komunalë, me menaxherë të projektit, dhe na kanë jep premtime se do të realizohet kërkesa jonë – do të gjendet zgjidhje” – shpjegon Shala, duke shtuar se banorët nuk janë konsultuar paraprakisht para nisjes së këtij projekti.
Emine Binaku Isufi, banorja tjetër deklaroi se nga bodrumi të cilat janë të pashfrytëzueshme kundërmon erë deri në katet lartë.
“Këtu, në këtë vend, po na rrezikohet jeta e fëmijëve, e pleqve e të tjerëve të sëmurë që ka këtu, sepse si ndërtesë notojmë në ujë këtu, dhe rrezikohemi edhe dita ditës me u shembë pikërisht problemi na vjen prej lokaleve të cilat kanë vetëm interesin e vetë. Ju intereson vetëm çka ka mbi tokë dhe jo nën tokë. Era nihet në katin e 9-të” – tha ajo, duke shtuar se në këso gjendje të bodrumeve nuk janë të sigurtë as ashensorët.
Komuna e Prishtinës, përkatësisht inspektoriati i Kryeqytetit, më 08.10.2024 kishte njoftuar për nisjen e projektit në rregullimin e infrastrukturës në atë zonë.
Në postimin në “Facebook” kishin shkruar se “kishin dëgjuar edhe kërkesat e banorëve të cilat mund të realizohen njëkohësisht me lirimin e hapësirave dhe implementimin e projektit”.
Lidhur me këto shqetësime të banorëve, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Inspektoriat të kryeqytetit dhe është duke pritur përgjigje.