Prishtinë, caktohen dy ekspertë në komisionin për rekrutimin e drejtorëve të shkollave

Më 31 vota pro, asnjë kundër dhe 13 abstenime, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar sot për formimin e komisionit për rekrutim të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave dhe çerdheve në kryeqytet.

Drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati prezantoi dy ekspertë të pavarur të arsimit që nga sot do të jenë pjesë e komisionit përzgjedhës – Egzon Gashi dhe Jehona Gjurgjeala.

Drejtoresha Musmurati bëri të ditur se procesi do të asistohet edhe nga ambasada britanike me qëllim që procesi të jetë transparent dhe komisioni të jetë profesional.

Sipas saj, ky proces që po bëhet për herë të parë në Prishtinë, do ndikojë që të ketë performancë dhe transparencë më të mirë nëpër shkolla dhe çerdhe.

Faza e parë e komisionit do të fillojë me vlerësimin e drejtorëve që përfundojnë sivjet mandatin, pastaj me drejtorët e shkollave që kanë pasur kontestim për përzgjedhjen e tyre.

“Do të kemi drejtorë meritor nëpër shkollat e Prishtinës”, tha ajo.