Prishtinë, babai i dy fëmijëve dënohet se shiti drogë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka dënuar me dy vjet burgim një person me inicialet, H.F. baba i dy fëmijëve, për shitje të drogës.

Në aktgjykimin e kësaj Gjykate thuhet se i njëjti dënohet edhe me një shumë të parave prej 2 mijë eurove.

Gjatë kontrolleve, të njëjtit përveç drogës iu gjetën edhe armë.

“Më datën 05.11.2021 rreth orës 16:00 në lokalin e të pandehurit H.F, me emrin “ G.”, që gjendet në rrugën “V.” në L.A.-P., gjatë kontrollimit nga ana e policisë, në guacën e tualetit kanë gjetur dhe sekuestruar 5-qese të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë substancë narkotike, të llojit Kokainë, me peshë prej 1.8 gram”, thuhet në Aktgjykim.

“Një qese e mbushur me substancë të llojit Marihuanë, me peshë prej 16.7 gram, një qese e vogël e mbushur me pluhur ngjyrë të bardhë, e llojit Kokainë, me peshë prej 0.6 gram , një cope e vogël në formë të çokollatës e llojit Marihuanë, me peshë prej 0.5 gram, një lule e vogël ngjyrë e gjelbër e llojit Marihuanë, me peshë prej 0.5 gram”, thuhet tutje në Aktgjykim.

Përveç në lokal, të dyshuarit drogë iu gjetë edhe në banesën e tij.

“Policia gjatë bastisjes dhe kontrollimit, në dhomën e pritjes ka gjetur dhe sekuestruar 7 paketime najloni të mbushura me pluhur ngjyrë të bardh e llojit Kokainë, me peshë prej 85.2 gram, të cilat sipas ekspertizës, substancat narkotike me peshë neto të përgjithshme 81.43 gram, përmbajnë Kokainë, ndërsa substancat narkotike me peshë neto të përgjithshme prej 10.24 gram, përmbajnë Kanabis (Marihuanë), si dhe të holla në shumë prej 1397,40 (njëmijë e treqind e nëntëdhjetë e shtate euro e 40 cent), të fituara si rezultat e kryerjes së veprës penale”, thuhet tutje në Aktgjykim.

Por, gjatë bastisjes, Policia e Kosovës gjeti edhe një armë të tipit “Sig Sauer” me një karikator me 35 fishek të kalibrit 9 mm.