Prishtinë, arrestohet një person, dyshohet se shiti barna pa banderola dhe rrezikoi shëndetin e pacientëve
Policia ka arrestuar një person në Prishtinë nën dyshimin se ka shitur barna pa banderola të Kosovës.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se hetimet u kryen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim më Prokurorinë e Prishtinës.
“Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësiti Rajonal-Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë (Departamenti i Përgjithshëm), pas trajtimit të informatave për një aktivitet kriminal, sot, më 14.09.2022 kanë arritur të sigurojnë të dhëna se R.J., (viti i lindjes 1977, mashkull kosovar), ka shitur barna pa banderola të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftimin e Policisë potencohet se i dyshuari ka arritur që të përfitojë materialisht dhe njëkohësisht ka rrezikuar shëndetin e pacientëve të cilët kanë konsumuar barnat e tilla.
Sipas Policisë, barnatorja është kontrolluar nga inspektorët farmaceutikë, kurse personi i dyshuar është shoqëruar në Polici.
“Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, i njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë dhe me ‘Vendim mbi ndalimin’, lëshuar nga prokurori kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”- bëhet e ditur më tej në njoftim.