Ilustrim

Prishtinë, arrestohet një i dyshuar për së paku 7 grabitje dhe tentim grabitje të armatosura

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 18.02.2025, është arrestuar një person i dyshuar për disa grabitje dhe tentim grabitje të armatosura.

“Sot nga Hetuesit policor të  Kryeqytetit është arrestuar një person i dyshuar për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka qenë i përfshirë në së paku shtatë raste të grabitjeve dhe tentim grabitjeve të armatosura” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Ndaj të dyshuarit me vendim të prokurorit është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Ndërsa, hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar nga organet kompetente.

“Aktualisht po vazhdon puna hetimore në koordinim edhe me Hetuesit Rajonal, për zbardhjen e plotë të dyshimeve të ngritura për implikimin e të dyshuarit edhe në disa raste të tjera që po hetohen nga ana e policisë”- njofton Policia.

Ndërsa sot, më 18.02.2025, në Polici në Prishtinë është raportuar se rreth orës 11:00 ka ndodhur një tentim grabitje në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Agim Ramadani”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas Ahmetit, në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës, hetuesit policorë janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin.

Emisioni “Kallxo Përnime”, më 15.02.2025, transmetoi pamje ekskluzive të xhiruara me Prokurorinë e Shtetit të një hetimi disamujor për arrestimin dhe shkatërrimin e një grupi që kryente grabitje në dyqane të rajonit të Prishtinës.

www.kallxo.com