Prishtinë, arrestohet i dyshuari për grabitje në pompë të derivateve, një tjetër në arrati

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot Njësiti i Hetimeve Rajonale në Prishtinë ka arrestuar një person 20-vjeçar, i dyshuar për grabitje të armatosur.

Sipas Policisë, rasti kishte ndodhur më 28 mars 2021 në rrugën “Mon Balaj”, në Prishtinë, saktësisht në një pompë derivatesh.

“Progresi i hetimit policor për këtë rast ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuarin; E.H., i gjinisë mashkullore, 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka qenë i përfshirë në rastin e grabitjes”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Ndërkohë, Policia njofton se ka identifikuar edhe të dyshuarin e dytë, me inicialet A.K., 19-vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili aktualisht është në arrati, e të cilin Policia e ka shpallur në kërkim nën dyshimin e bazuar për përfshirje në rastin në fjalë.

Personi i dyshuar pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.