Foto: Ilustrim

Prishtinë, arrestohen tre të dyshuar për vrasje në tentativë

Policia e Kosovës sot në orët e pasdites ka arrestuar tre të dyshuar të cilët ishin shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së mbetur në tentativë të ndodhur më datë 24 tetor të vitit të kaluar në rrugën “Isa Boletini” në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka thënë se në këtë ngjarje lëndime të rënda trupore nga mjete të mprehta kishin marrë dy viktima të cilët ishin trajtuar në QKUK.

“Të tre të dyshuarit, B. GJ, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, A. GJ. 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe E. T. 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh për procedim të mëtejmë nën dyshimin për veprën vrasje në tentativë”, ka thënë ai.