Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com
Prishtinë, arrestohen tre persona për posedim të narkotikëve, në mesin e tyre edhe një polic
Një zyrtar policor dhe dy persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Kosovës, konkretisht nga Departamenti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, për posedim të substancave narkotike, të hënën më 28.09.2024, në Prishtinë.
Sipas një komunikate të Policisë, arrestimet janë kryer gjatë një operacioni disa mujor të quajtur “Freeshopi” të Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë.
Policia thotë se gjatë realizimit të planit taktik antidroga, i mbështetur edhe nga njësitet për reagim të shpejtë (NJRSH), tek personat e dyshuar gjatë kontrollit në trup dhe në lokacione të tyre ka gjetur sasi të substancave narkotike me peshë 370 gramë, një peshore, tri thika dhe para të gatshme në vlerë prej 4 mijë e 870 euro.
Ndërkaq, lidhur me përfshirjen e zyrtarit në këtë rast, Policia bënë të ditur se menjëherë është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), për procedura të mëtutjeshme.
“Në konsultim me Prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda është iniciuar rasti dhe tre personat e dyshuar dërgohen në qendrën e mbajtjes për proceduar të mëtejme ligjore”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Rasti mbetet të hetohet nga antidroga e Policisë së Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, njofton Policia.
Tutje, Policia thotë se mbetet e përkushtuar për luftimin e të gjitha veprave penale dhe arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar, pavarësisht rolit dhe funksionit që ata kanë.