Ilustrim

Prishtinë, arrestohen të dyshuarit për grabitje nën kërcënimin e armëve

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, të cilët po dyshohen për një rast të grabitjes nën kërcënimin e armëve.

Grabitja ka ndodhur në një dyqan në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti-Haziraj.

“Rasti ka ndodhur më  10.2.2020 në rrugën “Isa Kastrati”, në Prishtinë, ku persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët me forcë (duke i shkaktuar lëndime viktimës), kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash nga viktima i cili po transportonte paratë e një dyqani në rrugën e sipërshënuar”, ka thënë Ahmeti për KALLXO.com.

Tutje ajo ka shtuar se që nga dita e raportimit hetuesit policorë të rajonit të Prishtinës kanë ndërmarrë  të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personave të dyshuar.

“Aksioni i realizuar sot nga njësiti i Hetimeve te Përgjithshme, ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar: Sh.Sh., 34 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, E.Sh., 34 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe H.O., 36 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, ka thënë tutje zëdhënësja.

Në anën tjetër pas arrestimit  hetuesit rajonalë, te mbështetur nga Njësiti për Reagim të Shpejtë, kanë kryer katër bastisje në lokacione të ndryshme, ku kanë sekuestruar: 3 automjete, dy pushke gjuetie (pa leje), telefona celularë, një sasi te parave si dhe gjësende të ndryshme të cilat mund t’i shërbejnë ndriçimit të plotë të këtij rasti, ndërkohë që të njëjtat mund të shërbejnë edhe si  dëshmi në procedurë.

Pas intervistimit, personat e  dyshuar me aktvendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.