
Foto: Policia e Kosovës
Prishtinë, arrestohen katër persona, konfiskohen rreth 25 kg drogë
44-vjeçari me iniciale B.M., 46-vjeçari me iniciale L.K., 46-vjeçari tjetër me iniciale M.K. dhe 34-vjeçari me iniciale F.H. janë arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 25 kg lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në Prishtinë.
Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 27 paketime me lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë me peshë 25.2 kg, një veturë, dy pushkë, dy revole, shtatë fishekë kalibrash të ndryshëm, gjashtë telefona celularë dhe 350 euro.
Organet e rendit njoftojnë se operacioni policor i koduar ‘Starti’, i zbatuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve Prishtinë, kanë goditur këtë grup kriminal trafikantësh.
“‘Starti” ka filluar me trajtimin e informatave, mbledhjen e dëshmive në terren dhe sot në koordinim më Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë realizuar katër kontrolle në lokacione të ndryshme në Prishtinë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia bën të ditur se të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe ndaj tyre janë iniciuar rastet – shitblerje e narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
“Të dyshuarit, me aktvendim nga prokurori dërgohen në mbajtje deri në 48 orë”- thuhet në njoftim.
