Prishtinë, arrestohen gjashtë persona se shëtitnin në orë policore

Gjashtë persona janë arrestuar në Prishtinë pasi që nuk e kanë respektuar orarin e lëvizjes së lirë, si masë parandaluese e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Tre persona janë arrestuar në fshatin Mramor në orën 3 pas mesnate, pasi të njëjtit pa asnjë arsye kanë lëvizur në orën policore.

Ata më pas, me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Kurse, tre personat e tjerë janë arrestuar në Sheshin “Nëna Terezë”, të cilët po ashtu kanë lëvizur në orën e ndaluar.

Policia thotë se të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Sipas vendimit të Qeverisë nga ora 17:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit rrugët janë të bllokuar për qytetarët dhe automjetet.

Ky vendim i Qeverisë është marrë si masë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes ngjitëse virusit COVID-19.

Në Kosovë, që nga data 13 mars e deri më sot janë konfirmuar 135 raste me coronavirus. Nga këta persona 16 janë shëruar ndërsa është shënuar edhe një viktimë.