Ilustrim: Viza FOTO: RTK

Prishtinë, arrestohen dy persona, dyshohet se i mashtruan së paku 13 qytetarë për viza

Policia në Prishtinë ka arrestuar dy persona të dyshuar për mashtrim.

Të njëjtit dyshohet se kanë marrë nga së paku 13 persona shuma të ndryshme parash, duke u premtuar caktim të termineve për vizë.

“Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka  ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë  të gjatë kohore  dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar” – ka njoftuar Policia.

Të dyshuarit A.I., 19-vjeç dhe L.I., 18-vjeç me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor për të ndihmuar Policinë drejt hetimit përfundimtar.