Foto: KALLXO.com Ilustrim

Prishtinë, 3 të arrestuar për prostitucion

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë dhe dy gra nën dyshimin se kanë kryer veprat penale  – mundësim apo detyrim në prostitucion, ofrim i lokaleve për prostitucion dhe bashkëkryerje.

Në njoftimin e Policisë thuhet se të dyshuarit janë arrestuar sonte rreth orës  18:20 nga Sektori Qendror i Hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Si prova materiale janë sekuestruar dy telefonë mobilë dhe një DVR.

“Hetimi paraprak dhe arrestimi i të dyshuarve është bërë në koordinim me prokurorin e rastit. Të arrestuarit në këtë rast janë L.P, viti i lindjes 1990, B.H viti i lindjes 1993 dhe A.B viti i lindjes 1994”, ka njoftuar PK.

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit dy nga të dyshuarit (L.P. dhe B.H.) janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndaj të dyshuarës A.B.,  do të zhvillohet procedurë e rregullt gjyqësore.