Aksion i Policise - 24.07.2019

Prishtinë, 2 të arrestuar, dyshohen për vjedhjen e pajisjeve medicinale në vlerë 40 mijë euro

Hetuesit policorë të Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë sot kanë arrestuar dy persona, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se janë të përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti- Haziraj.

“Rasti ka ndodhur me datën 12.11.2019 në lagjen Emshir, në Prishtinë, saktësisht në një dyqan, ku janë vjedhur pajisje medicinale në vlerë 40.000 euro”, ka thënë ajo.

Tutje Ahmeti-Haziraj ka sqaruar se personat e dyshuar pas arrestimit me autorizim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit policorë po punojnë në kapjen e personit të tretë  të dyshuar, i cili është identifikuar nga ana e Policisë dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Sipas saj, bastisjet janë kryer në disa lokacione, në të cilat janë gjetur edhe armë.

“Hetuesit policor në kuadër të këtij aksioni, kanë kryer tri bastisje ne tri lokacione ku kanë gjetur  dhe sekuestruar një numër të madh të pajisjeve medicinale, 1 karikator të armës AK 47, 76 fishekë etj.  Ky operacion është kryer në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe gjyqtarin e procedurës parapake”, ka thënë tutje ajo.