Prishtinë - 150 urdhëresa të gjykatës, 15 armë zjarri të sekuestruara brenda një jave

Nga zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme, janë realizuar 150 urdhëresa të gjykatës, janë sekuestruar 15 armë zjarri dhe janë shqiptuar 4837 masa administrative .

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, 33 prej 150 urdhëresave të gjykatës janë për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.

“Konform urdhëresave, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës ,15 armët e sekuestruara janë të llojeve dhe kalibrave të ndryshme.

Ndërsa shqiptimi i 4,837 masave administrative janë me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor.