Ministria e Financave

Prishtina, tash mund bëjë pagesat për të prekurit nga COVID-19

Thesari i Republikës së Kosovës në Ministrinë e Financave i ka dhënë qasje Komunës së Prishtinës që të kryhen pagesat e stagnuara për të prekurit me COVID-19 dhe grantin për biznese të vogla si shkak i mbylljes së vitit fiskal në dhjetor të vitit 2020.

Kështu është thënë nga zyra e komunikimit publik në Ministrinë e Financave për Kallxo.com.

Sipas tyre kjo qasje për komunën është dhënë nga data 28 janar 2021.

“Ju njoftojmë se qasja për Komunën e Prishtinës është dhënë më datë 28.01.2021 (para dite), pas kompletimit të dokumentacionit, sipas procedurës në fuqi”, thuhet nga Ministria e Financave.

Para disa ditësh, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se këto pagesa nuk po ekzekutohen si shkak i mos hapjes së vitit fiskal nga Ministria e Financave.

“Pagesat (nga llogaria e Shtetit te llogaritë personale) ekzekutohen nga Thesari i Republikës së Kosovës, pas dorëzimit të kërkesës për secilën pagesë nga Komuna. Sipas legjislacionit në fuqi, niveli qendror e ka mbyll Thesarin në fund të dhjetorit për të përmbyll vitin financiar dhe ende nuk është rihapur. Në momentin që Thesari hapet dhe mjetet alokohen për Komunat sipas Ligjit në Fuqi, pagesat do të vazhdojnë për të gjithë përfituesit”, ka thënë Ahmeti.

Qysh prej fillimit të ndihmës prej 50 euro për të prekurit me COVID-19, kanë përfituar mbi 400 persona, kurse me hapjen e vitit financiar pritet të përfitojnë edhe rreth tetë mijë qytetarë.