Prishtina së shpejti me qendër për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge

Komuna e Prishtinës së shpejti do të ketë qendrën për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge.

Kjo qendër do të ketë shërbime të specializuara psikosociale dhe aktivitete për largimin e tyre nga rruga.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunë të Prishtinës, Dren Kukaj përmes një publikimi në Facebook.

Kukaj ka treguar se komuna ka nënshkruar marrëveshje me organizatën Terre Des Hommes pas një pune shumë muajshe.

“Kjo qendër përbën një mekanizëm mbrojtës për fëmijët që i shohim rrugëve të Prishtinës. Ata do i identifikojmë e pastaj do fillojmë të punojmë me ta dhe familjet e tyre. Qendra do ketë staf të specializuar në shërbimet psikosociale për fëmijë dhe do ketë shumë aktivitete që për qëllim kanë largimin e këtyre fëmijëve nga rruga përmes fuqizimit të familjeve të tyre”, ka shkruar Kukaj.