Zjarrfikësit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prishtina nuk punësoi asnjë zjarrfikës që 17 vite

Komandanti i zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, ka treguar në emisionin “Kallxo Përnime” se qendra që ai e drejton ka me dhjetëra probleme, duke nisur nga numri i pakët i zjarrfikësve e deri te mungesa e pajisjeve.

Ndonëse i kanë mbetur edhe shumë pak kohë para se të dalë në pension, komandanti Latif Beka nuk i ndalon kërkesat dhe punën për përmirësimin e kushteve të zjarrfikësve.

Zeka ka treguar se si në qendrën e zjarrfikësve ku ai është komandant, nuk është punësuar asnjë zjarrfikës që 17 vite.

Sipas tij, krejt kjo për shkak të problemeve mes Komunës së Prishtinës dhe Qendrës për Menaxhimin e Emergjencave që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave nis procedurat për rekrutimin e zjarrfikësve të rinj, vetëm kur komunat përkatëse zotohen se i kanë mjetet financiare për t’i paguar zjarrfikësit e rinj.

Zeka thotë se mungesa e zjarrfikësve është duke shkaktuar probleme të shumta në operacionet e zjarrfikësve.

Sipas tij, në rast se në të njëjtë kohë kërkohen intervenimi i zjarrfikësve në dy vende të ndryshme, ata duhet të zgjedhin rastin më urgjent për të ndërhyrë.

Komandanti i zjarrfikësve në Prishtinë thotë se premtime ka pasur gjithmonë, por deri më tani nuk është rregulluar asgjë.

Zeka tregon së ka zjarrfikës që janë në moshë të shtyrë e që kanë probleme shëndetësore, mirëpo të njëjtit paraqiten në punë pasi që nuk mund të dalin në pension të parakohshëm.