Prishtina nga nesër me reduktime të ujit

 

Të gjitha zonat urbane do të kenë reduktime të ujit të pijshëm nga ora 24:00 (00-00) deri në 04:00, gjithsej 4 orë gjatë natës.

KRU “Prishtina” po ashtu njofton se katet e sipërme të ndërtesave të larta në rast të problemeve me shtypjen e ujit duhet të bëjnë zgjidhje individuale.

Njoftimi i plotë

Furnizimi me ujë të pijshëm prej 15 gusht-15 shtator 2020 Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a., qëllimin kryesor e ka ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit. Për të përmbushur këtë mision me sukses dhe për të ofruar furnizim stabil me ujë të pijshëm dhe cilësorë, sigurisht që kërkohet angazhim maksimal dhe ka kosto të lartë në trajtimin e ujit dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit në vazhdimësi.

Me të gjitha kapacitetet e saj, kompania ka bërë shpërndarje të barabartë të ujit në të gjitha zonat e shërbimit. Por, duke filluar nga dita e nesërme 15 gusht e deri më 15 shtator 2020, për shkak të ruajtjes së resurseve ujore, menaxhimit të thatësisë dhe ruajtjes së kualitetit të ujit të pijshëm, ju njofton me furnizimin e ri i cili vlen për të gjitha zonat e shërbimit, si vijon:

– Të gjitha zonat rurale që kanë burime alternative do të kenë reduktime të ujit nga ora 18:00-06:00.

– Të gjitha zonat urbane do të kenë reduktime të ujit të pijshëm nga ora 24:00 (00-00) deri në 04:00, gjithsej 4 orë gjatë natës. KRU ” Prishtina ” është e obliguar që furnizimin me ujë ta bëjë me presion në intervale 1.5 bar

– 7 bar, andaj garanton që e mban këtë nivel të furnizimit. Katet e larta të ndërtesave kolektive, që mund të hasin në vështirësi rreth furnizimit me ujë të pijshëm, duhet të bëjnë zgjidhje individuale konform rregullave për Ligjin për Bashkëpronësi.

Furnizimi me ujë dhe aplikimi i reduktimeve minimale varion nga zona në zonë për shkak të konfiguracionit të terrenit dhe konsumit të ujit. Ju falënderojmë për mirëkuptim!