Kamera te sigurise, Prishtine

Prishtina nëpër nyje hapësira, shpejtë pritet të 'mbulohet' nga kamerat

Gjatë vitit 2020, Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka bërë vendosjen e kamerave të sigurisë nëpër sheshe, si zonat më të frekuentuara të qytetit ku zhvillohen aktivitete të ndryshme.

Kurse, këtë vit, sipas Medina Brahës, drejtoreshë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, janë duke u vënë kamera nëpër nënkalimet që janë rregulluar gjatë vitit të kaluar.

“Këtë vit, në bashkëpunim me disa hisedarë, Drejtoria për Shërbime Publike është duke vendosur kamera të sigurisë në nënkalimet që i kemi rregulluar vitin e kaluar. Në nënkalimin mes Xhamisë së Llapit dhe Shkollës Model, veçse i kemi vendosur para pak ditësh përmes menaxhmentit të shkollës dhe në të njëjtën mënyrë, do vendosen në nënkalimin afër shkollës në Bardhosh. Kurse, te nënkalimet që lidhin Kalabrinë me Dardaninë, kemi planifikuar t’i vendosim në bashkëpunim me Komitetin Lokal për Siguri Publike – Dardania, me anë të një donacioni që këta të fundit e presin nga OSCE”, ka thënë Braha për KALLXO.com.

Braha shtoi se sa i përket mbulimit gjithëpërfshirës të qytetit me kamera sigurie, kryetari Shpend Ahmeti është duke synuar realizimin e një projekti i cili mendohet të mbulojë të gjithë udhëkryqet, nyjat semaforike, rrugët kryesore etj.

Komuna e Prishtinës ka planifikuar që deri në fund të këtij mandati të përfundojë vënia e kamerave të sigurisë në zonën urbane.

Në propozim buxhetin për vitin 2021, komuna ka planifikuar të ndajë 100 mijë euro për vendosje të kamerave të sigurisë.