Prishtina në procedurë për shkëputje të kontratës me kontraktorin e punimeve në platonë e kurrizit

Komuna e Prishtinës ka vendosur të shkëpus kontratën me operatorin ekonomik “Rexha Sh.p.k” që po kryente punimet në platonë e kurrizit në lagjen ‘Dardania’.

Shkak i këtij veprimi u bë dëmi që shkaktoi kompania gjatë punimeve dhe mossanimi i tyre.

Muhamed Emra, zyrtar i lartë për ndërtim urban në komunën e Prishtinës, tha se si menxhues i këtij projekti ka urdhëruar operatorin të sanojë defektet, por kjo nuk është bërë.

“Në cilësinë e menaxherit të projektit ‘Ndërtimi i Bulevardit’ ju njoftojmë se me anë të shkresës kemi urdhëruar operatorin për sanim të defekteve në bazë të pjesës së tretë të kushteve të veçanta të kontratës Neni.13.1) nga data e pranimit të punimeve nga Komisioni i Autorizuar për pranim të punimeve për kualitetin e punëve dhe materialeve në bazë të Nenit 13 (Sigurimi për përmbushje të kontratës – Korrigjimi i defekteve) për kontratën ‘Ndërtimi i Bulevardit’ në Kurriz në Prishtinë. Punëkryesi është i obliguar që t’i sanojë të gjitha dëmtimet e paraqitura në plato, ku pas vërejtjes të dhënë me shkresë nuk ka bërë sanimin e defekteve të paraqitura’, ka thënë Emra për KALLXO.com.

Sipas Emrës, pasi operatori nuk ka marr masa për sanim të defekteve, është kërkuar tërheqja e sigurimit të ekzekutimit të punimeve dhe të angazhohet një operator tjetër për t’i eliminuar defektet.

“Duke e pasur parasysh që operatori nuk ka ndërmarr masa për sanimin e defekteve të paraqitura nga Menaxheri i Projektit dhe organi mbikëqyrës, kemi kërkuar me anë të shkresës nga Drejtoria e Prokurimit si nënshkrues të kontratës gjegjësisht Autoritet Kontraktues për tërheqjen e sigurimit të ekzekutimit të punimeve në bazë të kushteve të veçanta të kontratës. Nga vlera e sigurimit të ekzekutimit të angazhohet një operator tjetër për t’i eliminuar defektet’, ka shtuar Emra.

Kallxo.com ka tentuar të marr deklaratë edhe nga operatori “Rexha sh.p.k” lidhur me këtë veprim të komunës, por këta të fundit nuk kanë pranuar të përgjigjen për të dhënë më shumë detaje.

Punimet mbi tunelin e kurrizit, për herë të parë kanë filluar në vitin 2015.

Vlera e këtij projekti shkoi në afër 1 milion euro, kurse projekti në tërësi pritej të zgjaste 180 ditë pune.

Pjesë e këtij projekti ishte ndërrimi i të gjitha pllakave mbi kurriz, shtimi i hapësirave gjelbëruese mbi plato, ndriçimi, fontana etj.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për dëmet e shkaktuara dhe cilësinë jo të mirë të punimeve në platon e kurrizit në lagjen ‘Dardania’.

Pllaka të thyera, punë të pakryera: Projektit të “Kurrizit” i dalin të metat në shesh (kallxo.com)

Pllaka të thyera, punë të pakryera: Projektit të “Kurrizit” i dalin të metat në shesh