Prishtina në mesin e komunave më të prekura me COVID-19

94 raste pozitive me COVID-19 janë konfirmuar në Kosovë që nga data 13 mars kur u konfirmua edhe rastet e para.

Të premten e 13 marsit, ministri i shëndetësisë Arben Vitia kishte konfirmuar dy rastet e para, të prekurit janë një shtetase italiane 22 vjeçare me vendbanim në Klinë dhe një shtetas i Kosovës në i moshës 77 vjeçare nga Vitia.

Klina nuk ka lejuar përhapjen e virusit, duke bërë që ta ketë vetëm një qytetar të prekur me COVID-19.

Ndërsa në Viti deri më sot janë 7 raste, të gjitha raste kontakti me familjen e 77 vjeçarit.

Komuna e Malishevës është komuna më e prekur me gjithsej 33 raste të konfirmuara deri më sot.

Gjilani e Prishtina kanë numër të njëjtë të të prekurve, secila nga 15 qytetarë pozitiv me COVID-19.

Vushtrria ka të konfirmuara 6 raste pozitive, e po ashtu pozitivë me COVID-19 janë edhe 6 gjakovarë.

Podujeva ka katër të prekur me koronavirus, ndërsa nga ky qytet është shënuar edhe viktima e parë e këtij virusi në Kosovë, një 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës.
Prizreni, Lipjani, Obiliqi, Suhareka, Ferizaji, Shtimja dhe Peja, kanë nga një rast të konfirmuar me COVID-19.

Sipas IKShPK, në Kosovë, janë konfirmuar raste nga të gjitha moshat, ndërsa mosha më e prekur është ajo 20-29 vjeçare.