Prishtina në hall me hajnat, dy grabitje brenda 24 orëve

Dy raste të vjedhjeve janë regjistruar dje në Prishtinë.

Sipas raportit të policisë, njëri rasti ka ndodhur në Prishtinë në ora 12:00 pas mesnate, të cilin rast e ka raportuar pronari i shtëpisë.

Ai ka thënë se dy persona të panjohur të maskuar, njëri prej tyre i armatosur kishin hyrë në shtëpinë e tij të cilët kishin tentuar të vjedhin gjëra të ndryshme.

Tutje thuhet se në momentin kur të dyshuarit ishin takuar me viktimën njëri prej tyre kishte shtënë dy herë me armë zjarri, e më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë në drejtim të panjohur.

P0licia thotë se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe se nuk raportohet për të lënduar apo arrestuar dhe  rasti vazhdon të hetohet.

Vjedhja tjetër ka ndodhur në fshatin Prugoc të Prishtinës. Edhe në këtë rast, viktima ka raportuar se persona të panjohur kanë hyrë me forcë nga kati dytë nëpër një dritare të dhomës së gjumit. Ata dyshohet se kanë demoluar në të gjitha dhomat e katit të dytë të shtëpisë dhe sipas ankuesit kanë vjedhur para kesh rreth njëmijë e katërqind (1400) € si dhe stoli.

Rasti ka ndodhur në ora 20:30 dhe mbetet nën hetime.