Prishtina ndan 9 mijë 950 euro për panairin “Blej Shqip”

Ka disa vite që është bërë tradicional panairi “Blej Shqip” i cili organizohet për festën e 28 Nëntorit.

Në këtë panair ekspozohen produktet e prodhuara nga prodhues shqiptarë.

“Për këtë panair i kemi ndarë 9,950 euro. Panairi është i hapur nga 27-29 nëntor” tha zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu për KALLXO.com.

Qëllimi i këtij organizimi është fuqizimi i prodhuesve vendor dhe vetëdijesimi i qytetarëve për të konsumuar prodhime shqiptare.

Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë rreth 100 biznese nga trevat e ndryshme shqiptare.

Ky panair organizohet nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim  me Ministrinë  e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, Qendrën e Panairit Tiranë,  Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Përmes këtij panairi synohet të ndërtohen lehtësira  në komunikim dhe bashkëpunim  në mes të prodhuesve shqiptar, institucioneve vendimmarrëse dhe konsumatorëve. Po ashtu përmes panairit “Blej Shqip”, bizneset vendore  ndihmohen  dukshëm në rritjen e konsumit  dhe automatikisht është një mbështetje sado e vogël për zhvillimin ekonomik të vendeve tona.

Ky panair mbahet në qendër të kryeqytetit.