Foto: Facebook/ Manifesta 14.

Prishtina mikpritëse e “Manifestës, Bienales Evropiane Nomade”

Edicioni i 14 “Manifestës, Bienale Evropiane Nomade”, që mbledh mbi 100 artistë nga 30 shtete, kësaj radhe mbahet në Prishtinë dhe për herë të parë në një qytet të Ballkanit Perendimor.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropë, “Manifesta, Bienale Evropiane Nomade”, kësaj radhe mbahet në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë. Nga 22 korriku e deri më 30 tetor, mbi 100 pjesëmarrës nga 30 shtete shpalosin veprat e tyre artistike me ndërhyrje në hapësira publike.

Sipas organizatorëve, pas një hulumtimi katër vjeçar, u zgjodh Prishtina një kryeqytet i Ballkanit Perëndimor, që të mbahet manifesta, edicioni i 14 që ka për synim të shndërrohet në katalizator të ndryshimit social.

Sipas drejtores së kësaj bienaleje, Hedwig Fijen, Manifesta mbahet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe ky edicion bazohet në disa tema kyçe.

“Ne jemi bërë radikalisht lokalë, së dyti punojmë për trashëgimi afatgjathtë për qytetin dhe qytetarët, së treti ne e arrijmë këtë trashëgimi përmes modelit tonë të autonomisë ts angazhuar, kjo nënkupton se krijojmë partneritet midis qytetit nikoqir dhe ‘Manifestës’ duke mundësuar po ashtu që të hulumtohen mundësitë dhe të zbatohen ndryshimet”, tha drejtorja e biennales Fijen.

Sipas saj, “Kosova po iu uron mirëseardhje të gjithë vizitorëve nga Evropa, por Evropa, nuk i mirëpret kosovarët që të hapin krahët e tyre për shkëmbime të ngjashme kulturore”. Hedwig Fijen, tha se Manifesta me qendrën në Prishtinë për “praktika narrative”, ka përgatitur një platformë për të hulumtuar në mënyrë kolektive të kaluarën, gjithnjë duke shpresuar të “krijojmë një të ardhme të përbashkët”.

“Duke shikuar kanalet që e lidhin Kosovën me pjesën tjetër të botës dhe duke imagjinuar sesi partneriteti kreativ mund të thellohet, u bë e qartë se raportet janë të njëanshme, se duhet të rrisim ndërgjegjësimin për kufizimet e padrejta të kësaj pjese të Evropës”, tha Fijen. Sipas saj, “Pjesa artistike e ‘Manifesta 14′ eksploron dhe gjeneron praktika të reja dhe modele të rrëfimit kolektiv”, duke shpresuar që “rrëfimi i historive është shumë më i artikuluar sesa nëse vetëm të përfshihemi në histori, identitet dhe kujtesë”.

Organizatorët e “Manifestës 14”, thanë se duan që të nisin një bisedë me atë se çfarë duhet të ndodhë me intervenimet e kryera në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë, pasi të përfundojë Bienalja dhe cila është trashëgimia që lë pas Bienalja sa i përket transformimit të hapësirave publike të Prishtinës.

Autoritet më të larta të institucioneve të Kosovës, përveç aspektit kulturor, mbajtjen e “Manifestës 14”, në Prishtinë e cilësuan si një mundësi të mirë të promovimit të Kosovës dhe vlerave të artit të saj.

“Organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e aftësisë së shoqërisë sonë, të komunitetit artistik dhe të institucioneve tona për të mirëpritur një numër kaq të madh artistësh dhe për ta shndërruar kryeqytetin në hapësirë të artit bashkëkohor”, tha kryeministri Albin Kurti në hapje të Manifestës.

Manifesta Bienale, Nomade Evropiane,  ndërron lokacion çdo dy vjet dhe zakonisht zgjedh vende të papritura që të jenë qytete mikpritëse, në të cilat ka lokacione të bollshme për ndërhyrje me performanca artistike. E Prishtina e ofron një ambient të tillë./DW