Foto: Komuna e Prishtinës, Trafiku Urban

Prishtina me reforma në transportin publik më 2023, paralajmërohet çmimore e re

Komuna e Prishtinës planifikon që gjatë vitit 2023 të bëjë disa reforma në transportin publik, mes të cilave edhe çmimore të re.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka renditur disa prej hapave që pritet të merren për reforma në transportin publik nga viti i ardhshëm.

Sipas saj në kuadër të tyre do të ketë “Flotë e re e autobusëve (31) nga kredia me BERZh, linja të reja dhe ridizajnim të linjave ekzistuese, stacione dhe mini stacione të reja, biletë e integruar, pagesë me SMS dhe QR code, sistem i avansuar i menaxhimit të trafikut, rregullore e re për transport publik, çmimore e re”.

Rritja e çmimit të biletës për autobusët e trafikut urban nga 40 cent në 50 cent është diskutuar tash e disa muaj si shkak i inflacionit, derisa nuk dihet ende nëse çmimorja e re nënkupton rritje apo ulje të pagesës për biletë. Për këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Këto reforma për transportin publik parashihen edhe në planin e mobilitetit për kryeqytetin, zbatimi i të cilit ka nisur gjatë mandatit të ish-kryetarit, Shpend Ahmeti.

Nënkryetarja Sahatçiu ka potencuar se bashkë me sektorin e mobilitetit nga Drejtoria e Shërbimeve publike janë takuar me operatorë të linjave private, përfaqësues të trafikut urban e partnerë nga BERZh për planin e veprimit.

“Me ekipin shembullor të sektorit të mobilitetit nga Drejtoria e Shërbimeve Publike takuam përfaqësues të operatorëve privat që ofrojnë shërbimin e transportit me autobusë në linjat qëndrore dhe periferike, përfaqësues të Trafiku Urban Prishtinë dhe partnerët nga BERZh për të prezantuar dhe diskutuar planin e veprimit për reformimin e transportit publik”- ka potencuar Sahatçiu.

Sipas saj, operatorët privat funksionojnë tash e 10 vite pa licensë në kushte të pa favorshme, derisa mbulojnë shumicën e linjave në kryeqytet.

Në anën tjetër, sipas nënkryetares, ka qytetarë që ankohen për shërbim dhe mungesë të orareve në linja ku kërkesa është rritur ndjeshëm.

Sahatçiu tutje shtoi se për reformat e lartpërmendura, mbështetja e të gjithë operatorëve është e domosdoshme.

Ndërmarrja ‘Trafiku Urban’ aktualisht operon me 51 autobusë në 7 linja. Me planin e mobilitetit parashihet që kryeqyteti të ketë 160 autobusë; 80 të Trafikut Urban dhe 80 të operatorëve privatë (prej të cilëve pritet edhe modernizim i flotës).

Për vitin 2023, komuna e Prishtinës parasheh të ndajë 1.8 milionë euro për implementim të planit të mobilitetit, ku kryesisht përfshihet infrastruktura e shtigjeve të çiklizmit, troturave e rregullim i rrugëve.