Prishtina me mbi 1,500 raste aktive me COVID-19 dhe 34 vdekje

Komuna e Prishtinës është shprehur e shqetësuar që COVID-19 po përhapet më shumë shpejtësi brenda territorit të komunës.

Në një njoftim të lëshuar sot thuhet se në bazë të dhënave të IKSHP dhe shtabit emergjent të Prishtinës deri tani kanë vdekur 34 persona, kurse në total janë 3103 raste me COVID-19, prej tyre 1536 ende aktive dhe 1533 të shëruar.

“Përhapja e shpejtë e virusit dhe numri i shtuar i rasteve të reja me #covid19 janë vazhdimisht në rritje dhe kjo është shqetësuese!
Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 3103 raste me Covid-19 prej të cilave 1536 raste janë ende aktive. Kemi 1533 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 34 raste që kanë përfunduar me fatalitet,” thuhet në njoftim.

Komuna ka bërë thirrje që të respektohen masat mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e mëtejshme dukë vënë maskën, mbajtur distancën dhe pastrimin e duarve.

Sot në Kosovë janë shënuar 196 raste të reja me COVID-19, kurse kanë vdekur 16 persona brenda 24 orëve.