Pastrimi i rrugëve nga bora

Prishtina ka dy kontrata për mirëmbajtje të rrugëve gjatë dimrit

Me ftohjen e kohës është bërë aktuale edhe tema e mirëmbajtjes së rrugëve, kryesisht pastrimin e borës dhe ngricave nëpër rrugë dhe trotuare.

Sezoni dimëror për mirëmbajtje të rrugëve ka filluar më 15 nëntor e komunat tashmë kanë përcaktuar kompanitë të cilat do i kryejnë punimet për pastrimin e rrugëve dhe trotuareve.

Komuna e Prishtinës ka dy kontrata të nënshkruara për mirëmbajtje të rrugëve gjatë dimrit.

Njëra prej tyre është nënshkruar vitin e kaluar, në gusht 2019, vlera e së cilës është 1 milion e 650 mijë euro.

Afati i kësaj kontrate është për 36 muaj dhe është e ndarë në disa llote me kompani të ndryshme.

Kjo kontratë përfshin mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve si dhe debllokimin e kanalizimit atmosferik gjatë dimrit.

Kurse në maj të këtij viti, komuna nënshkroi kontratë për mirëmbajtje të rrugëve rurale gjatë dimrit.

Vlera e kësaj kontrate është rreth 300 mijë euro me afat prej 12 muajsh.

Kjo kontratë gjithashtu është e ndarë në tre llote.

Vlen të theksohet se Komuna ka përgjegjësi vetëm pastrimin e rrugëve brenda qytetit.

Rrugët magjistrale, rajonale dhe autostradat janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës.