"Prishtina Guitar Week", festivali që po promovon kitaristët e rinj

Nga 27 shtatori deri më 1 tetor 2024 në Prishtinë është mbajtur edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar, “Prishtina Guitar Week” (PGW).

Ky festival i përvitshëm i dedikohet kitarës dhe muzikës klasike.

Florin Fanaj, njëri nga organizatorët e këtij festivali ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se PGW mbledh artistë të njohur ndërkombëtarë dhe vendas për të performuar dhe për të mbajtur masterklasa për kitaristët e rinj dhe entuziastët e muzikës.

Sipas tij, ky festival ofron një mundësi të madhe për muzicientët e rinj për të përmirësuar aftësitë e tyre.

“Eventi përfshin koncerte të ndryshme, konkurse të kitarës klasike dhe workshope të cilat ofrojnë mundësi të shkëlqyera për muzikantët e rinj që të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të mësojnë nga profesionistë të njohur. ‘Prishtina Guitar Week’ synon të promovojë kitarën klasike dhe të kontribuojë në zhvillimin kulturor dhe muzikor të rajonit”- tha Fanaj për KALLXO.com.

Kjo javë muzikore, sipas tij, ka fituar famë dhe është një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Kosovë, duke tërhequr audiencë të gjerë si nga vendi ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Fanaj tha se edhe sivjet PGW pati tri koncerte të kitaristëve të njohur.

“Dy nga koncertet kanë qenë me kitaristë me renome ndërkombëtare, siç është Lukasz Kuropaczewski nga Polonia dhe Petra Polaçkova nga Çekia. Në Prishtina Guitar Week çdo vit i jepet hapësirë edhe kitaristëve vendas, e që këtë vit patëm nderin ta kishim kitaristin tonë fantastik Agron Peni -Trio”-  është shprehur Fanaj, duke shtuar se pjesë e festivali ishin edhe artistët: Drilon Çoçaj, Elvis Bytyqi, Erhan Mujka, Florin Fanaj, Gjulian Bytyqi dhe Kreshnik Berisha.

Koncertet e këtij edicioni të PGW janë mbajtur qendrën “Barabar” në “Grand Hotel” dhe në kishën “Shën Ndou” në Ulpianë- Prishtinë.

Fanaj tha se përveç koncerteve që janë një nga tri shtyllat e ngjarjeve të festivalit, gjatë këtij edicionit të PGW-së janë mbajtur edhe garat për kitarë të nxënësve dhe studentëve, e që për dallim nga viti i kaluar ku kishte konkurrentë vetëm nga Kosova, sivjet gara ka qenë ndërkombëtare.

“Fituesit e garave kanë patur mundësinë që të kenë masterklase me profesorët e kitarës siq janë Drilon Çoçaj, Gjulian Bytyqi, Erhan Mujka, Florin Fanaj, Agron Peni, Elvis Bytyqi dhe Kreshnik Berisha. Po ashtu masterklasë kanë pasur edhe artistët ndërkombëtarë”- tha Fanaj.

Ndërkaq, një tjetër workshop që është mbajtur në kuadër të PGW ka qenë edhe mjeshtri i kitarës, Sergei Rusakov.