Prishtina festoi fitoren e Distria Krasniqit, KOK pret medalje edhe nga sportistë tjerë

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Departamentin e Sportit dhe Kulturës së Komunës së Prishtinës, organizuan festë në sheshin “Zahir Pajaziti” në nder të fitores së medaljes së artë të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Musa Selimi, anëtar i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se pas Majlinda Kelmendit, tanimë po shndrisin edhe sportistë tjerë kosovarë.

Ai tha se nga Tokio 2020 presin edhe medalje tjera, ndërsa uroi të gjithë shqiptarët për triumfin e Distria Krasniqit.

“Pas Majlindës po shndrisin edhe yjet tjerë. Po shndrit një yll i cili sot i dha botës një kampione të vërtetë. Presim podium edhe Majlindën, Norën, Lorianën, Akilin, Egzon Shalën, Musa Hajdarin, Donjeta Sadikun dhe shpresojmë të kthehemi me numër më të madh të medaljeve pas disa ditëve. Vlerat olimpike po shndërrisin në Kosovë, rinia jonë e shkëlqyeshme po demonstron që shteti jonë, Kosova jonë e dashur ka yje, ka njerëz me zemër të madhe që po na përfaqësojnë denjësisht. Urime Prishtinë, urime Kosovë. Faleminderit për këtë pjesëmarrje masovike. Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha Selimi.

Edhe Fitim Rexhaj nga Departamenti i Kulturës në Komunën e Prishtinës, tha se presin nga sportistët tjerë rezultate të njëjta si të Distria Krasniqit. Edhe ky uroi të gjithë shqiptarët për këtë fitore historike, transmeton RTV21.

“Ne presim rezultate të mira edhe nga sportistët tjerë, ku Prishtina përfaqësohet me tre sportistë. Ndërsa ne i përkrahim të gjithë sportistët kosovarë pa dallim dhe urojmë që nesër edhe Majlinda të sjell një rezultat të ngjashëm dhe të na gëzojë e të na bëjë krenar. Urojmë Distrian për këtë rezultat dhe shpresojmë që edhe sportistët e tjerë të na gëzojnë kështu. Gëzuar për të gjithë”, tha Rexhaj.

Në këtë mbrëmje ku pjesëmarrja ishte e madhe u ekspozuan spote nga garat e Distria Krasniqit në Tokio 2020, ndërsa u hodhën edhe fishekzjarrë të shumtë.

Më pas mbrëmja vazhdoi me interpretimin e këngëve nga disa bende të njohura muzikore.