Prishtina e betonizuar në objektivin e fotografit Etienne Remond

Fotografi Etienne Remond ka hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës ekspozitën “Bukuria e betonit”.

Fotografitë bardhe e zi të ekspozitës ngërthejnë në vete aspekte të ndryshme nga pjesa urbane e qytetit të mbuluar me beton – Prishtinës.

Kjo pjesë është ajo që Remond është përpjekur ta kapë duke e lënë veten të humbiste nëpër qytet dhe ta bënte atë pjesë të jetës së tij.

Për fotografin Remond të flasësh për Prishtinën nuk ke zgjidhje tjetër përveç të prezantosh betonin, jo pse është një zgjidhje e keqe, por brenda saj ofrohen edhe gjëra të bukura.

“Ndoshta Prishtina është e rrethuar me beton, por ka shumë gjallëri dhe jetë brenda saj”, ka thënë ai.

Sipas tij, përkundër faktit që thuhet se Prishtina është mbërthyer nga një kaos urbanistik ajo ka edhe mjaft gjëra të bukura që mund të gjejë çdokush që dëshiron të eksplorojë.

Ndërsa, skulptori Skënder Boshtrakaj, ka potencuar se pasqyrimi i imazheve të  fotografive të Etienne Remond  është mjaft e qartë dhe ka konsideratë për kuadrin.

“Puna e Etienne Remond nuk ka kozmetikë, është shumë dokumentare”, ka thënë Boshtrakaj.