Prishtina do ndajë mbi 2 milionë euro për mirëmbajtje verore të rrugëve dhe trotuareve

Komuna e Prishtinës planifikon të nënshkruajë kontratë në vlerë 2.1 milionë euro për mirëmbajtje të rrugëve gjatë verës.

Zyra e Prokurimit në Komunë ka njoftuar se afati kësaj kontrate do jetë 36 muaj.

Derisa, ashtu si edhe në kontratat e kaluara për mirëmbajtje të rrugëve, kontrata do të jetë e ndarë në disa llote, ku shumica do jenë në zona urbane dhe një numër më i vogël në ato rurale.

Kontrata pritet të jetë e ndarë në 6 llote, pra do jenë disa operatorë ekonomikë të cilët do kenë përgjegjësi të ndara në mirëmbajtje të rrugëve.

Në mirëmbajtje të rrugëve gjatë verës përfshihet: Larja e rrugëve, mbledhja e mbeturinave, larja dhe fshirja e nënkalimeve, pastrimi dhe debllokimi i kanalizimit atmosferik, mbledhja e mbeturinave nga shportat dhe pastrimi i shportave.

Kontrata është duke u ekzekutuar përmes procedurës së hapur, kurse kriter për dhënie të saj është operatori që ofron çmimin më të ulët për këtë shërbim.