Prishtina dhe TIKA, bashkë në restaurimin e Hamamit të qytetit

Komuna e Prishtinës dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim (TIKA) kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për bashkë financim në projektin e restaurimit të Hamamit të Prishtinës.

Drejtori i Kulturës në Prishtinë, Adrian Berisha ditë më parë ka deklaruar se për këtë projekt komuna do ndajë 500 mijë euro, kurse projekti ka vlerë mbi 1 milion eurove.

Sipas komunës, punët e konservim-restaurimit do të realizohen duke u respektuar Ligji i Trashëgimisë Kulturore dhe aktet tjera ligjore e nënligjore të Republikës së Kosovës në fushën respektive.

Vlen të theksohet se në këtë Hamam, është bërë edhe një ndërhyrje tjetër por komuna nuk është ndarë e kënaqur pasi konsiderohej se është humbur identiteti i tij, gjithashtu janë gjetur edhe shumë keqpërdorime gjatë procesit.

Hamami i qytetit vazhdon të jetë i mbyllur për vizitorë që nga fillimi i pandemisë.