Prishtina bëhet me panair të librit të vjetër dhe të rrallë

Të premten e ardhshme nis në Prishtinë edicioni i parë i panairit të librit, “Panairi i librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur”.

Organizatorët e këtij panairi kanë bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, se gjatë këtij panairi, i cili do të zgjasë deri më 27 shtator 2020, do të prezantohen mbi 700 tituj të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur.

“Të premten, më 25 shtator 2020, në oborrin e Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, nën masa të rrepta dhe rekomandime të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, hapet ‘Panairi i librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur’, edicioni i parë, i cili do të vijojë të mbetet i hapur deri më datë 27 shtator”, thuhet në njoftim.

Pos sipas njoftimit, gjatë këtij panairi do të ketë edhe aktivitete tjera, diskutime me autorë, ekspozita, mbrëmje poetike, etj.

Panairi i librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur. Foto. Facebook/Panairi i librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur