Bibloteka e qytetit të Gjilanit "Fan S. Noli"
Prishja e Sistemit të Ngrohjes në bibliotekën e Gjilanit – Drejtoria e Kulturës thotë se riparimi pritet të zgjasë deri në dy javë
Biblioteka Fan Noli në Gjilan po përballet prej një jave me prishje të Sistemit të Ngrohjes, çka po krijon vështirësi të mëdha në mbarëvajtjen e punës dhe mirëqenien e stafit e vizitorëve.
Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të bibliotekës, Qazim Azizi, problemi lidhet me dëmtimin e çillerëve të ngrohjes. Ndërsa, është angazhuar një mjeshtër për servisimin e tyre, deri tani nuk është gjetur zgjidhje.
“Për shkak të ftohtit e pamundësisë për të mbajtur temperaturat e duhura, kam propozuar që stafi të punojë me orar të shkurtuar, pasi objekti është shumë i madh dhe është e pamundur të ngrohet me disa pajisje të vogla, që kemi sjellë nga shtëpia.” – tha Azizi.
Ai shtoi se kjo situatë po ndikon negativisht edhe te vizitorët, përfshirë studentët dhe nxënësit të cilët përdorin ambientet e bibliotekës për të mësuar.
“Disa prej tyre kanë sjellë pajisje ngrohëse nga shtëpitë e tyre për të vazhduar mësimin, ashtu si edhe ne punëtorët. Ndërsa, hapësira për fëmijët aktualisht nuk është funksionale.” – theksoi ai.
Azizi bëri të ditur se – përveç dërgimit të e-mail-eve Kryetarit të Komunës dhe Drejtorit të Kulturës – është takuar personalisht me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Kushtrim Zeqiri, por ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete, për zgjidhjen e problemit.
Nga ana tjetër, Zeqiri konfirmoi se është në dijeni të situatës dhe se për zgjidhjen përfundimtare mund t’iu duhen deri në dy javë.
“Çillerët nuk janë servisuar, që nga momenti kur kemi kaluar në objektin e ri dhe dëmtimet janë serioze. Po presim një vlerësim të kostos nga mjeshtri, për të vendosur hapat e mëtejshëm.” – tha ai.
Biblioteka e Gjilanit, e cila u transferua në një ndërtesë moderne prej 4,000 metra katrorë në vitin 2017, falë mbështetjes së donatorëve të Bashkimit Evropian, aktualisht po përballet me një sfidë serioze, që kërkon zgjidhje të shpejtë për të ruajtur funksionalitetin dhe standardet e saj. /Telegrafi