Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Prishja e rrjetit në Lipjan, Telekomi thotë se u shkaktua nga një kompani private

Telekomi i Kosovës njofton se ditën e djeshme është dëmtuar një fije optike në fshatin Bablak, përmes të cilës Telekomi ofron shërbimin e internetit për disa konsumatorë.

Sipas njoftimit, dëmi është shkaktuar nga një kompani private, që është angazhuar për të modernizuar rrjetin e hekurudhave të Kosovës.

“Ju njoftojmë se ditën e djeshme është dëmtuar një fije optike në fshatin Bablak, në relacionin Fushë Kosovë-Ferizaj, përmes së cilës, Telekomi i Kosovës ofron shërbimin e internetit për një pjesë të konsumatorëve të vet, duke përfshirë Komunën e Lipjanit. Ky dëm është shkaktuar nga një kompani private, që është angazhuar për të modernizuar rrjetin e hekurudhave të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë tutje thuhet se ekipi i Telekomit ka shkuar në lokacion dhe e ka bërë riparimin e dëmit.

“Ekipi profesional i Telekomit të Kosovës ka shkuar menjëherë në këtë lokacion dhe ka bërë riparimin e dëmit. Në të njëjtën kohë, është bërë lidhja me një trase tjetër optike, për të rifunksionalizuar shërbimin e IPTV-së”, shpjegon Telekomi.

Më tej, sipas Telekomit, e njëjta kompani sërish ka dëmtuar fijen optike për të ndërprerë kështu përkohësisht shërbimin e IPTV-së duke shtuar se ekipi përkatës e ka rregulluar dëmin e shkaktuar.

“Megjithatë, menjëherë pas kësaj, kompania e njëjtë sërish e ka dëmtuar fijen optike, duke ndërprerë përkohësisht shërbimin e IPTV-së.  Ekipi përkatës i Telekomit sot përsëri ka shkuar në lokacionin e njëjtë, duke eliminuar kësisoj dëmin e shkaktuar”, sqaron Telekomi.

“Prandaj, dje duke filluar nga ora 13:45, konsumatorët e Telekomit të Kosovës që janë të lidhur me këtë fije optike mund të jenë përballur me ndërprerje apo ulje të cilësisë së shërbimeve të internetit”, thuhet tutje në njoftim.

Dje Komuna e Lipjanit ka njoftuar se në mungesë të rrjetit, problem që u shkaktua nga disa dëmtime, nuk mund të ofrohen shërbimet elektronike nga kjo komunë.