Ndërtesa e Qeverisë së Gjermanisë në Berlin | Foto: KALLXO.com
Prishet koalicioni qeveritar në Gjermani pasi kancelari Scholz e shkarkoi ministrin e Financave
Koalicioni qeveritar trepartiak në Gjermani është prishur të mërkurën (06.11.2024) në mbrëmje pasi kancelari Olaf Scholz mori vendimin për shkarkimin e ministrit të tij të Financave, Christian Lindner, lidhur me mospajtimit për reformat ekonomike, ka raportuar “Politico”.
Shumëkush në Gjermani kishte shpresuar se fitorja e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara do ta detyronte koalicionin të mbahej për shkak të frikës se president i zgjedhur amerikan do t’i bënte presion ekonomisë më të madhe të Europës – duke shënjestruar industrinë e saj të makinave me një luftë tregtare.
Sidoqoftë, edhe kërcënimi në dukje i Trumpit nuk ia doli t’i davariste ndasitë partiake për ta vazhduar qeverisjen.
Bisedimet e krizës në koalicionin e Socialdemokrastëve të Scholzit, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë të Lindnerit arritën kulmin pasi FDP-ja e Lindnerit nxori një dokument me kërkesa për të gjitha reformat ekonomike liberale që ishin të zorshme për t’’u zbatuar për dy partitë e tjera.
Gjatë një takimi dramatik të liderëve të tri partive të mërkurën mbrëma në kancelari, Lindner i tha Sholzit se nuk shihet shtegdalje për të vazhduar koalicionin dhe i bëri thirrje që ta trasojë rrugën për zgjedhjeve të parakohshme.
Kjo rezultoi me njoftimin e Scholzit se do ta shkarkonte, i thanë “Politicos” dy zyrtarë të informuar me diskutimet.
Megjithëse Scholz potencialisht mund të kërkojë të vazhdojë të qeverisë me qeveri pakice, nuk ka shumicë për miratimin e buxhetit, duke rritur gjasat për një mocion mosbesimi dhe zgjedhje të parakohshme – potencialisht në fillim të marsit.
FDP-ja është partia më e vogël në koalicion dhe tani në sondazhe po del me vetëm katër për qind – nën pragun e nevojshëm parlamentar për zgjedhjet e ardhshme federale, të planifikuara për në shtator – që do të thotë se udhëheqësit e saj kanë menduar për një shkëputje të koalicionit me qëllim për të shpëtuar të ardhmen e tyre politike.
Dokumenti i politikave të Lindnerit, i cili doli në media javën e kaluar, bën thirrje për ulje të taksave dhe zvogëlim të politikave klimatike në mënyrë që të stimulohet rritja ekonomike – të dyja qëndrime që e vënë partinë në kundërshtim me partnerët e tij të koalicionit.
Në qendër të negociatave të Qeverisë është miratimi i buxhetit të vitit 2025 nga parlamenti – në të cilin duhet të plotësohet një boshllëk prej të paktën 2.4 miliardë eurosh dhe potencialisht shumë më tepër – si dhe një marrëveshje për masat për të rinovuar ekonominë e sëmurë të vendit.
Fitorja e Trumpit pritet të ushtrojë presion të madh mbi ekonominë më të madhe të Europës. Një analizë nga Instituti Ekonomik Gjerman (IW) vlerëson se një luftë e re tregtare mund t’i kushtojë Gjermanisë 180 miliardë euro gjatë katër viteve të mandatit të Trumpit. /“Politico”
Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com